Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak pritet të njoftojë një bashkëpunim midis Mbretërisë së Bashkuar, Italisë dhe Japonisë për të zhvilluar një avion të ri luftarak që përdor inteligjencën artificiale.
Kryeministri britanik thotë se sipërmarrja e përbashkët synon që të krijojë mijëra vende pune në Mbretërinë e Bashkuar si dhe të forcojë lidhjet e sigurisë.
Kombet do të zhvillojnë një avion luftarak të gjeneratës së ardhshme që do të hyjë në shërbim në mesin e viteve 2030 që pritet të zëvendësojë avionin tip Typhoon.
Puna për zhvillimin e avionit është duke u zhvilluar me synimin për të krijuar një avion luftarak që do të ofrojë një shpejtësi shumë më të lartë, do të përdorë sensorë të avancuar dhe madje edhe inteligjencë artificiale për të ndihmuar pilotin njerëzor kur ata janë të mbingarkuar ose nën stres ekstrem.
Ai gjithashtu mund të fluturojë pa ndihmën e një piloti nëse kërkohet dhe mund të jetë në gjendje të lëshojë raketa hipersonike. Por krijimi i një avioni kaq kompleks është shumë i shtrenjtë, ndaj dhe Britania ka kërkuar partner Italinë dhe Japoninë, një lëvizje mjaft domethënëse në një kohë kur Britania po ndërton lidhje të ngushta me aleatët në rajonin Indo-Paqësor, e shqetësuar për një Kinë më të sigurt.
Për Mbretërinë e Bashkuar, kjo marrëveshje nuk ka të bëjë vetëm me sigurinë, por edhe me ekonominë. Shpresa është se zhvillimi i një avioni të ri luftarak mund të krijojë dhe mbështesë mijëra vende pune në Mbretërinë e Bashkuar dhe të hapë dyert për më shumë eksporte armësh.