Sot në orët e para të mëngjesit, Sekretari i Përgjithshëm i OBD-së Dr. Kunio Mikuriya, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganës, Agron Llugaliu, filloi vizitën dy ditore në Republikën e Kosovës.
Kjo është një vizitë historike, pasi që Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Doganave për herë të parë viziton Kosovën me ftesë të Doganës së Kosovës.
Fillimisht Mikuriya zhvilloi takim me Ministrin e Financave, Transfereve dhe Punës, Hekuran Murati, ku u diskutuan tema të rëndësishme në aspektin e bashkëpunimin tregtar si dhe në ngritjen e kapaciteteve të Kosovës.
“E njoftova për performancën e mirë sa i përket rritjes së eksporteve dhe kapaciteteve në prodhim. Si dhe për procese tjera që kanë të bëjnë me digjitalizimin. Është hera e parë që sekretari vjen në Kosovë dhe besoj që edhe gjatë ditëve në vijim do të ketë vizita tjera” deklaroi Murati, pas takimit.
Sekretari Mikuriya theksoi se Dogana e Kosovës ka bërë përparim sa i përket zbatimit të standardeve të përgjithshme.
“Jam shumë i lumtur që vizitoj një vend te ri. Jemi shumë të lumtur që të mirëpresim Kosovën si anëtarin tonë. Ne do të monitorojmë progresin e doganave. Doganat e Kosovës kanë bërë një përparim te madh edhe sa i përket zbatimit të standardeve të përgjithshme. Ne kemi biseduar për mbështetjen e vazhdueshme politike për reformat doganore. Ne po shikojmë se si te ofrojmë kapacitete mbështetëse për burimet njerëzore në dogana”, tha Mikuriya.
Derisa takimi i radhës ishte në Ministrin e Punëve të Brendshme ku sekretari Mikuriya u prit nga Ministri Sveçla, e që u diskutuan tema në fushën e sigurisë së përgjithshme kufitare dhe njëkohësisht u prezantua modeli i menaxhimit të integruar të kufirit që Kosova ka për momentin.
Pas takimit, sekretarit Mikuriya gjithashtu iu prezantua qendra kombëtare e menaxhimit të kufirit.
Takimet do të vazhdojnë me vizitë në pikat kufitare të Kosovës, ku Mikuriya do të njoftohet për së afërmi me arritjet e Doganës.