KOSTT dhe KEK njoftojnë për avarinë e mbrëmshme në këtë kompani që për shkak të lidhjes së shkurtër të paraqitur në stabilimentet e tensionit të lartë të KOSTT-it, dje pasdite në orën 23:55, blloku A4 në Termocentralin Kosova A, është shkyçur nga rrjeti.
“Pas kontrollës së ekipeve të mirëmbajtjes së KOSTT dhe KEK është vërejtur që, si rezultat i mbingarkesës së lartë ka shpërthyer izolatori i mesëm mbajtjes i T-35 në stabilimentet e KOSTT”, thuhet në një komunikatë.
Lidhur me këtë, sipas njoftimit, ekipet e KOSTT-it kane dal në vend të ngjarjes dhe është eliminuar defekti, pra izolatori i dëmtuar është zëvendësuar sot me 27 shkurt 2023 në ora 10:15. Ndërsa në KEK aktualisht është filluar me sanimin e defekteve në njësinë A4 dhe kjo njësi pritet të kthehet ne operim më 1 mars, 2023 rreth orës 06:00 të mëngjesit.
Qytetarët në kryeqytet mbrëmë ishin të habitur nga një zhurmë e pazakontë. Zhurma e cila u përsërit disa herë ka ngjallur reagim në rrjete sociale, duke shprehur pikëpyetjet se prej nga ka ardhur.
Por, se sipas KEK-ut, kjo zhurmë ka ardhur pasi njësia A4 kishte pasur një lidhje të shkurtër me stabilimentet e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT).