Eurodeputeti dhe bashkëkryetari i Partisë së Gjelbër Evropiane, Thomas Waitz thotë se sot është një ditë e rëndësishme dhe gëzimi për Kosovën dhe qytetarët e saj, pasi që Parlamenti Evropian sot më në fund do të japë dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave.
“Sot është një ditë gëzimi për Kosovën dhe qytetarët e saj. Pas disa vitesh bllokadë në Këshillë, Parlamenti Evropian më në fund do të miratojë liberalizimin e vizave për më të rinjtë e Evropës. Ky hap në rrugën e Kosovës drejt BE-së është shumë i vonuar. Të Gjelbërit kanë vite që e mbrojnë atë dhe do të vazhdojnë të mbështesin rrugën e Kosovës drejt BE-së”, deklaron Waitz.
Kosova ishte e bllokuar prej disa vitesh në Këshillë.
Votimi për Liberalizimin e vizave nga Paralemnti Evropian do të lejojë udhëtimin pa viza për kosovarët në BE deri në 90 ditë, duke filluar nga viti 2024. Kosova është e fundit nga vendet e Ballkanit Perëndimor që ka marrë liberalizimin e vizave.
Pas votimit të sotëm, vendimi që kosovarët të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së do të firmoset nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së; Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian.
Pas kësaj, mbetet botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së, me çka edhe caktohet data e hyrjes në fuqi të vendimit.