Shefi i misionit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano u ka shprehur mirëseardhje Njësisë Policore të Specializuar të 5-të (NJPS).
Sipas njoftimit për media këta policë, që vijnë nga forcat e EUROGENDFOR-it të siguruara nga Xhandarmëria Kombëtare e Francës, Karabinierët e Italisë, Shërbimi i Sigurisë Publike i Lituanisë dhe Garda Kombëtare Republikane e Portugalisë, do të punojnë krah për krah me Njësinë Policore të Specializuar (NJPS) të siguruar nga Policia e Polonisë për ta përmbushur mandatin e Misionit për ta mbështetur stabilitetin në mbarë Kosovën dhe për garantimin e sigurisë për të gjitha komunitetet gjatë zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme.
“EULEX-i vepron si reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë në kuadër të mekanizmit me tre nivele të reaguesve të sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti dhe misioni KFOR i udhëhequr nga NATO është i treti”, thuhet në njoftim.