Turqia mund të ndërmjetësojë për eksportimin e drithërave që vijnë nga Deti i Zi, në drejtim të atyre vendeve që kanë nevojë. Lajmin e zyrtarizoi vetë presidenti Tayyip Erdogan ditën e sotme, i cili deklaroi se do të diskutonte për këtë me liderët në Kiev dhe Moskë.
Erdogan shtoi se plani turk është i detajuar dhe se vendi i tij është gati, duke vënë në dispozicion 20 anije për transportin nga portet ukrainase, ndërkohë që rezervat turke të drithërave janë sipas tij në gjendje të mjaftueshme.
Presidenti turk u ndal sot edhe mbi procesin e anëtarësimit e Suedisë dhe Finlandës, duke thënë se heqja e vetos së Ankarasë për ftesën ndaj dy vendeve skandinave nuk do të thotë se nuk do të ketë kërkesa shtesë për anëtarësimin e tyre të plotë.
Një tjetër front tensionesh për Turqinë është marrëdhënia me Greqinë, veçanërisht për kontrollin e disa ishujve të Detit Egje, në ujërat e të cilëve gjenden burime hidrokarburesh të rëndësishme. Erdogan deklaroi se kishte refuzuar çdo tentativë ndërmjetësimi midis tij dhe kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, që disa liderë të pranishëm në samitin e NATo-s në Madrid i kishin propozuar./A2/