Kosova u pajtua që t’i japë kompanisë së shtetit serb, “Elektrosever” leje për të operuar në veri të vendit. Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai serb, Petar Petkoviq e nënshkruan dokumentin e implementimit të marrëveshjeve të viteve 2013 dhe 2015, kur në krye të shtetit ishin Hashim Thaçi e Isa Mustafa.
Kryeministri Albin Kurti tha se kjo marrëveshje “është rezultat i punës tonë të palodhshme dhe i qëndrimeve tona parimore”. Por Lëvizja Vetëvendosje atëherë e kundërshtonte ashpër këtë marrëveshje, për përmbajtjen e së cilës kishin negociuar dhe ishin dakorduar ish-kryeministrat Hashim Thaçi e Isa Mustafa.
Edhe kur kishin kaluar disa vjet nga marrëveshja e Thaçit e Mustafës, Kurti nga foltorja e Kuvendit kërkonte sqarime për të. Thoshte se “Elektroseveri nuk duhet të pranohet kurrsesi”, raporton Gazeta Express.
“Nuk ka mundësi të rregullohet as kjo çështje pa i sqaruar kjo qeveri çështjet e shumta me dy elemente: i pari është KEDS-i, i dyti është Elektroseveri. Pra, nuk është e mundshme të rregullohet as situata energjetike në Kosovë, aq më pak në veri të Kosovës pa u marrë me këtë trashëgiminë e presidentit aktual që është kryeministri përmbajtësor dhe që e ka bërë këtë kryeministër ushtrues detyre. Elektroseveri nuk duhet të pranohet kurrsesi dhe nëse KEDS-i nuk i mbledh faturat nëpër veri, atëherë duhet të kthehet pronë publike shpërndarja dhe furnizimi. Nëse s’e bën KEDS-i, duhet ta bëjë Qeveria”, shprehej Kurti në qershor të vitit 2018.
Katër vjet pas, Kurti si kryeministër flet krejt ndryshe.
“Ky është rezultat i punës tonë të palodhshme dhe i qëndrimeve tona parimore në bazë të ligjit dhe kushtetutshmërisë së Kosovës, në bazë të rregullave tona ka ndodhur dakordimi më në fund për zbatim të udhërrëfyesit që do të mundësojë inkasimin e energjisë së shpenzuar në veri të lumit Iber”, tha ai të martën.
Sipas udhërrëfyesit për të cilin Kosova dhe Serbia u dakorduan të martën në Bruksel, kompania e shtetit serb, “Elektrosever” parashihet ta nënshkruajë një marrëveshje tregtare me KEDS-in, përmes së cilës do t’i mundësohet t’i kryejë shërbimet e distribuimit (faturimin, inkasimin, mirëmbajtjen dhe kyçjen e konsumatorëve të rinj) në katër komunat me shumicë serbe në veri. Kjo, parashihet të ndodhë 10 ditë pasi të licencohet nga Zyra e Rregullatorit për Energji.
Edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi u shpreh i kënaqur të martën, duke njoftuar që “më në fund” u morën vesh për implementimin e marrëveshjeve të kohës së Thaçit e Mustafës.
Ashtu siç paralajmëroi para pak ditësh, dakordimi i djeshëm nuk e ndryshoi asnjë presje nga marrëveshjet e dakorduara në Bruksel në vitet 2013 dhe 2015, kohë kur në krye të shtetit ishin njëherë Hashim Thaçi, e më pas Isa Mustafa.
“Çdo dakordim eventual ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi çështjen e energjisë, nuk do ndryshojë as edhe njё presje pёrtej asaj qё tashmë është dakorduar nё Bruksel nё vitet 2013 dhe 2015. Nё emёr tё Kosovёs, negocion vetёm Qeveria e Republikёs sё Kosovёs. Takimi mes KEDS dhe palёs serbe, i organizuar nё Stamboll me 9 qershor, ka patur vetёm objektivin e ofrimit tё garancive pёr katёr shёrbimet e dakorduara nё vitin 2015, vendosja e matёsve tё energjisё, mirёmbajtja e matёsve, faturimi dhe inkasimi dhe kёtё obligim e ka pёrmbushur”, kishte shkruar Bislimi të hënën e javës së kaluar.