Duhet vullnet politik dhe lidership i fortë për të njohur pavarësinë e Kosovës, gjë që sa më shpejt të ndodhë aq më mirë do të jetë për të dyja vendet. I këtij mendimi është eksperti serb Ivan Vejvoda, anëtar i përhershëm i Institutit për Shkencat Humanitare në Vjenë.
Në një intervistë për programin “Balkans Debrief”, Vejvoda tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka zgjatur për shumë kohë dhe në periudhën e fundit nuk ka ecur përpara. Megjithatë, eksperti i çështjeve ndërkombëtare u shpreh kundër atribuimit të fajit.
“Përcaktimi i fajit shkon përtej çështjes. Mendoj se u takon liderëve të Ballkanit, kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç të kapin demin prej brirësh, nëse mund ta themi kështu, pasi bota po lëviz. Gjëra të shumta po ndodhin”, tha Ivan Vejvoda, Instituti për Shkencat Humanitare, Vjenë.
Në këto kushte, shtoi Vejvoda, nuk është mirë që dy vendet të mbeten në një situatë status quo-je njësoj si Qiproja, apo Kashmiri që diskutohet mes Indisë dhe Pakistanit, pasi një gjë e tillë nuk është e shëndetshme. Gjithashtu, ai tha se sa do të funksionojë presioni ndërkombëtar, kjo mbetet për t’u parë.
“Është bërë e ditur nga të dyja palët se disa marrëveshje pritet të arrihen dhe në javët e ardhshme do të shohim nëse kjo do të ndodhë. Nëse po, atëherë do të thotë se presioni po funksionon dhe se Evropa duhet t’i japë kreditet e saj në mënyrë të qartë”, tha Ivan Vejvoda, Instituti për Shkencat Humanitare, Vjenë.
Edhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një intervistë për EN paralajmëroi arritjen e disa marrëveshjeve të rëndësishme./Euronews