Ekipi i Zyrës Ndërlidhëse dhe Monitorimit të KFOR-it, i cili si mision ka ngritjen e sigurisë në vendin tonë, duke bashkëpunuar me institucionet lokale, organizatat ndërkombëtare dhe popullatën vendore, ka vizituar të enjten FFK-në, ku është pritur nga nënkryetarët Bakir Burri e Agim Dibrani dhe sekretari i përgjithshëm Taulant Hodaj.
Duke pasur parasysh se kjo zyre zakonisht e bënë monitorimin e ngjarjeve aktuale në vendin tonë, në mënyrë që të shohë implikimet sociale, politike dhe të sigurisë, në këtë takim u diskutua në lidhje me zhvillimet e fundit dhe ndërhyrjen potenciale nga jashtë në punën e federatës dhe në ekipin kombëtar në prag të ndeshjeve të para kualifikuese për Euro 2024 kundër Izraelit dhe Andorrës.
Të njëjtit kishin për qëllim që të informohen përsëafërmi lidhur me situatën aktuale, teksa dëgjuan më vëmendje shqetësimet e drejtuesve të FFK-së. Ata theksuan se çdo shqetësim i qytetarëve dhe organizatave në Kosovë, siç është edhe FFK-ja, është pjesë e rëndësishme e punës dhe monitorimit të kësaj Zyre Ndërlidhëse dhe se të gjitha shqetësimet ata do t’i raportojnë tek organet gjegjëse.
Krerët e FFK-së i njoftuan zyrtarët e KFOR-it për të gjitha zhvillimet dhe theksuan se tashmë kanë përgatitur raportet e nevojshme për t’i paraqitur ato para organeve përkatëse, për ta ruajtur në plotni autoritetin e pavarur të federatës, si një nga organizatat më të mëdha dhe më të rëndësishme në vend. Në këtë takim u diskutuan edhe mundësitë dhe format e bashkëpunimit.
Delegacioni i KFOR-it po ashtu uroi që Kombëtarja e Kosovës të ketë rrugëtim të suksesshëm në kualifikimet për Euro 2024 dhe realizim të objektivit.