Shteti fqinj i disa vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe anëtarja e BE-së, Greqia, ka emëruar një të Dërguar Special për këtë rajon, si pjesë e përpjekjes për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në këtë rajon.
Këtë post do ta bartë Sofia Grammata, ambasadorja e Greqisë në Rumani, e cila do t’i ushtrojë këto funksione paralelisht, siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme greke në faqen zyrtare, transmeton Gazeta Express.
“Greqia i kushton rëndësi parësore konsolidimit të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor. Në këtë drejtim, ajo promovon përforcimin e marrëdhënieve bilaterale mbi bazën e respektimit të Ligjit Ndërkombëtar, Ligjin Ndërkombëtar të Detit dhe në mënyrë aktive përkrah perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftim.
Vendimin për emërimin e saj si e dërguar e mori kryediplomati grek, Nikos Dendias.
“Ministri i Punëve të Jashtme, i cili zhvilloi vizita të suksesshme në Tiranë, Shkup, Sarajevë, Beograd dhe Prishtinë në javët e shkuara, ka vendosur që të emërojë një të Dërguar Special për Ballkanin Perëndimor”.
Grammata u emërua ambasadore e Greqisë në Rumani, me akreditim njëkohësisht në Moldavi në vitin 2019. Më parë ajo kishte shërbyer si drejtoreshë e Drejtorisë për Europën Juglindore të Ministrisë së Punëve të Jashtme greke.
Ky emërim vjen pas deklaratës së kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, i cili tha se Ballkani Perëndimor duhet të anëtarësohet në BE deri në vitin 2033.
Kohëve të fundit, për Ballkanin Perëndimor u emëruan disa emisarë nga shtete të ndryshme. Nga SHBA në këtë post shërben Gabriel Escobar, nga BE Miroslav Lajçak – fokusi i të cilit është dialogu Kosovë-Serbi – nga Mbretëria e Bashkuar Stuart Peach, derisa qeveria gjermane për herë të parë e emëroi Manel Sarrazinin.