Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, e ka lëshuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit si shenjë pakënaqësie për mosekzekutimin e pagave për rreth 25 mijë mësimdhënës që kanë qenë në grevë.
Gashi tha se Qeveria po përmbysë rendin kushtetues, duke shtuar se mospagesa e mësimdhënësve është veprim arbitrar.
Gashi tha se mësuesit i kanë dhënë kohë Qeverisë për të gjetur një zgjidhje në lidhje me çështjen e 100 eurove, por sipas tij, qeveria po tenton që me sjellje autoritare, siç tha ai “t’ia shërojë egon e sëmurë kryeministrit”.
“LDK në shenjë pakënaqësie, ndaj sjelljes së papërgjegjshme të Qeverisë për pagat e mësimdhënësve, lëshojmë mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit”.“Me arsyetimin se Qeveria po shkelë rendin juridik në Kosovë, duke ua pamundësuar 25 mijë familjeve kosovare të ardhurat”.“Qeveria e Kosovës po e përmbysë rendin kushtetues. Mospagesa është veprim arbitrar”, tha Gashi.
Gashi tha se nesër deputetët e LDK-së do të marrin pjesë në interpelancën e thirrur për ministrin e Financave, Hekuran Murati.“Ne do të jemi aty, do të japim qëndrimet tona dhe pastaj do të shohim si do të reflektojë qeveria”, tha ai.
Edhe PDK e ka lëshuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, teksa ka dorëzuar edhe kallëzim penal ndaj ministrit Hekuran Murati dhe sekretarit të kësaj ministrie.