Këngëtari i famshëm britanik, Ed Sheeran, ka marrë mbi një milion euro dëmshpërblim, pasi fitoi gjyqin për të drejtat e autorit lidhur me megahitin e tij, “Shape of You”.
Kujtojmë që Sheeran dhe bashkëpunëtorët e tij, John McDaid i Snow Patrol dhe producenti Steven McCutcheon, ishin paditur nga muzikanti britanik, Sami Chokri.
Ai ngriti çështjen për shkelje të të drejtës së autorit duke pretenduar se 31-vjeçari kopjoji një pjesë nga kënga e tij e vitit 2015, “Oh Why”.
Sheeran mohoi që në fillim se këngën e kishte dëgjuar më parë, ndërsa rasti përfundoi në një gjykatë në prill të këtij viti.
Edhe pse, pas vendimit, avokatët e Chokri argumentuan se Sheeran dhe ekipi i tij duhet të paguajnë shpenzimet e tyre ligjore, në vendim, gjyqtari Antony Zacaroli vendosi që këtë duhej ta bënin paditësit, duke urdhëruar një pagesë të përkohshme prej 916.000 funtesh (një milion e 64 mijë euro).
Pritet një diskutim i mëtejshëm në të cilin do të vlerësohen dhe finalizohen shumat, raporton The Guardian.
Avokati i këngëtarit më herët kishte thënë se i gjithë rasti ishte thellësisht traumatik për këngëtarin dhe bashkëpunëtorët e tij, por për fat të mirë, mori fund.
Pavarësisht se gati 10 për qind e pagesave u ngrinë për shkak të gjyqit, kënga “Shape of You” i solli Sheeranit dhe partnerëve të tij përfitime prej rreth pesë milionë funteve në vit (5.8 milionë euro).