Rreth 100 qytetarë të Hanit të Elezit kanë kërkuar ndihmë mjekësore që nga dita e djeshme. Në orë të vona të mbrëmjes, me dhjetëra pacientë me simptoma të helmimit janë paraqitu në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare. I pari i kësaj komune, Mehmet Ballazhi ka deklaruar se dyshohet për simptoma të helmimit nga uji i pijshëm. Ndërkohë, bën të ditur se është njoftuar Instituti i Shëndetësisë Publike, por që ende nuk janë marrë mostrat e ujit.
Më tej, ai ka njoftuar se vetëm gjatë natës së mbrëmshme janë trajtuar 70 pacientë në QKMF-në e Hanit të Elezit.
“Nga dita e djeshme kanë filluar simptomat e para dhe kërkesat për të marrë ndihmën e parë atje në QKMF në Han të Elezit, mbrëmë në orë të vonë. Kështu që, dyshohet për një lloj helmimi nga uji i pijshëm, por nuk e di se nuk janë marrë analizat, nuk janë bërë analizat e ujit. Deri më tani janë rreth 100 pacientë, por në ndërkohë vijnë edhe ndonjë. Edhe pse ndonjë valë e madhe nuk është, por ditën e djeshme. Nuk është diçka për shqetësim, për shkak se edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike kemi kontaktuar, edhe me QKMF-në në Han të Elezit, nuk ka vend për shqetësim”, është shprehur ai për Kosovapress.
Derisa thekson se nuk është gjendje alarmante, Ballazhi pohon se pacientët kanë simptoma të helmimit.
“Është vjellje, barkqitje dhe temperaturë, por nuk është një gjendje shumë alarmante, por vetëm për shkak të numrit sepse është i madh. Por nuk ka ndonjë vend për shqetësim, të paktën kështu e thonë kompetentët e shëndetësisë”, shton ai.
Ai flet edhe për gjendjen e pacientëve të cilët kanë kërkuar trajtim në QKMF-në e Hanit të Elezit.
“Aty marrin ndihmën e parë, infuzionet, ndryshe shkojnë në shtëpi. Nuk ka diçka për shqetësim edhe na thonë edhe mjekët që kanë kontakt me ta. Por, megjithatë është një helmim që ende nuk po e dimë se nga vjen… Është njoftuar Instituti, ata ende nuk kanë mbërritur në vendin e ngjarjes për të marrë mostrën e ujit, tash kur dalin analizat, unë, nuk mund të ju them diçka”, ka përfunduar ai.