Edhe dy anije të mbushura me drithëra u largohen nga Ukraina më 13 gusht, në bazë të marrëveshjes të mbështetur nga Kombet e Bashkuara për të rikthyer eksportet e drithërave dhe produkteve bujqësore, tha Ministria turke e Mbrojtjes.
Në 16 ka shkuar numri i përgjithshëm të anijeve që transportojnë drithëra ukrainase.
Anija Fulmar S me flamur të Barbados, u largua nga porti ukrainas Chornomorsk dhe po transporton 12.000 ton misër në provincën jugore të Turqisë, Iskenderun, thuhet në deklaratë.
Anija Thoe, nën flamurin e Ishujve Marshall, lundroi nga i njëjti port dhe u nis për në Tekirdag të Turqisë me 3.000 tonë fara luledielli, shkruan Reuters.
Tutje thuhet se një anije tjetër do të niset të shtunën nga Turqia në Ukrainë për të blerë drithëra.
Ministria e infrastrukturës e Ukrainës tha të shtunën se 16 anije që transportonin 450.000 ton produkte bujqësore ishin nisur nga portet detare të Ukrainës që nga fillimi i gushtit, sipas marrëveshjes që siguronte kalim të sigurt për anijet.
Moska dhe Kievi arritën marrëveshje muajin e kaluar për rikthimin e eksporteve. Marrëveshja u arrit nën ndërmjetësimin e Turqisë dhe OKB-së dhe synon të zhbllokojë tri portet ukrainase, që janë bllokuar qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Marrëveshja kërkon që një ekip ndërkombëtar, i përbërë nga zyrtarë nga Turqia, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina të mbikëqyrin inspektimet dhe kalimin e anijeve nëpër Bosfor.
Ukraina shpreson të rrisë eksportet e saj detare në mbi 3 milion ton drithë dhe produkte të tjera bujqësore në muajt e ardhshëm.