Dua Lipa po qëndron në Kosovë, pasi po mbahet festivali “Sunny Hill”, i cili organizohet nga ajo.
E gjatë ditës së sotme, këngëtarja shqiptare me famë botërore ka paralajmëruar një tjetër program në Kosovë, shkruan lajmi.net.
Ajo ka njoftuar se fondacioni i “Sunny Hill” është bashkuar me “Musikmakarna”, akademinë e kantautorëve në Suedi, me të cilët do të krijohet një program i ri për kantautorët e rinj të talentuar në Kosovë.
Dua këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në profilin e saj në ‘Instagram’.
“Unë shkova në studio sot për të parë se çfarë kanë bërë ata dhe u mahnita nga talenti dhe produktiviteti i seancave brenda vetëm disa ditësh nga fillimi. U ndjeva vërtet e frymëzuar dhe jam shumë e emocionuar që ne vazhdojmë të punojmë së bashku për të parë këtë program të rritet në diçka vërtet të bukur”, ka shkruar Dua.
Ndryshe, sonte mbahet nata e katërt dhe e fundit e festivalit “Sunny Hill” në Prishtinë.