Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se që nga marrja e detyrës nga ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, nuk është vërejtur asnjë ndryshim pozitiv.
“As në shërbimin terciar dhe sekondar nuk ka asnjë zhvillim më të voglin pozitiv. Sot, pacientët bredhin prej zyrës në zyre, pa asnjë përkujdesje dhe përgjegjësi institucionale ndërsa mjekët dhe stafi shëndetësor punojnë me paga shumë të ulëta”, ka shkruar Dreshaj përmes një postimi në Facebook.
Tutje ai në mënyrë ironike e ka pyetur Latifin: “Ministër kur don me ja nis punës?”.
“Ministri duhet ta dijë që çdo ditë, mjekët dhe stafi shëndetësorë po e lëshojnë Kosovën. Ekziston rreziku real që vendi ynë në të ardhmen e afërt të mbes pa staf të mjaftueshëm shëndetësor. Lista esenciale e paraqitur sot në dokumentin që e ofroi ministri është e pa saktë. Letra duron gjithçka por e vërteta është që sot klinicistët, QKUK-ja ku punoj unë nuk i ka medikamentet e nevojshme. Kjo është e verifikueshme fare lehtë.
“Ndërsa, lista e pritjes për intervenime kirgjurgjikale është e gjatë dhe nuk ka veprime konkret. Ministrit i thashë: dështim në edukim, dështimin në menaxhim, dështim në sistem të pagesave dhe sigurimet shëndetësore dhe miqësisht e pyeta; ministër kur don me ja nis punës?”, ka shkruar ai.