Drejtori i Kirurgjisë Abdominale në QKUK, Ferat Sallahu, është shprehu i indinjuar që presidentja Vjosa Osmani e ka injoruar këtë klinikë dhe është operuar në një institucion privat në vend.
Ai tha se në këtë Klinikë bëhet punë e jashtëzakonshme, duke shtuar se shembulli i presidentes Osmani është mesazh i keq për qytetarët.
“Jemi jashtëzakonisht të indinjuar për këtë anashkalim, për shkak se këtu bëhet një punë e madhe dhe një sakrificë e jashtëzakonshme dhe me një shpërblim minimal për t’iu dhënë ndihmë qytetarëve, dhe shembulli i presidentes Osmani është jo i mirë për gjithë qytetarët, për shkak se ‘mosbesimin’ që e ka pasur presidentja është një mesazh i keq për qytetarët për QKUK-në”, tha tutje Sallahu.
Ai ka sqaruar se operacioni për heqjen e tëmthit në këtë klinikë, kryhet që nga viti 1999. Sallahu tha se operacione të tilla kanë kryer ish-ministra e personalitete tjera në vend.
Ndonëse tha se një operacion të tillë nuk e kishte pasur ish-presidenti Hashim Thaçi, Sallahu tha se i njëjti kishte zgjedhur QKUK-në për një ndërhyrje kirurgjikale.
“Operacioni i cili e ka kryer presidentja kryhet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe e kemi një eksperiencë të madhe nga viti 1999 kryhen me sukses. Procedura kirurgjike në momentin e hyrjes në anestezion deri në daljen nga anestezioni prej 45 minuta deri në një orë e gjysmë”, tha Sallahu.“Të natyrës së tillë jo por intervenime kirurgjikale po, duke filluar nga ish-presidenti Thaçi që ka pasur një ndërhyrje kirurgjikale në ORL, ish-ministri Rifat Latifi ka pasur një ndërhyrje në klinikën time, mirëpo ka pasur trajtime edhe nga politikanë tjerë”, tha tutje Sallahu për EO.
Gjatë ditës së djeshme, presidentja e vendit Vjosa Osmani zgjodhi një klinikë private për një ndërhyrje kirurgjike.Veprimi i saj është kritikuar tejet shumë, duke u vlerësuar se Presidentja nuk i beson mjekësisë në spitalin e shtetit.