Situata e tensionuar në veri të vendit ka bërë që drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti, të raportojë para deputetëve të Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së.
Kryetarja e këtij komisioni, Ganimete Musliu ka bërë të ditur se së fundmi ky komision ka mbajtur një mbledhje dhe se kanë marrë nga drejtori i AKI-së informacione mbi situatën e sigurisë në vend.
Musliu tha se situata në veri tani është stabile.
“Duke pasur parasysh rrethanat në veri për reciprocitet ne si komision e kemi ftuar drejtorin dhe ai i ka përgjigjur ftesës pozitivisht dhe ka raportuar. Për momentin është se gjendja e sigurisë është stabile në veri dhe organet kompetente janë gjendje gatishmërie që siguria e Kosovës të mos cenohet në asnjë mënyrë. I falënderoj qytetarët serbë për bashkëpunimin dhe i inkurajoj të vazhdojnë bashkëpunimin me shtetin e Kosovës dhe të mos bien pre e provokimeve nga Beogradi zyrtar”, ka thënë Musliu për EO.
Në veri të Kosovës pati tensionim të situatës mbrëmjen e së dielës, pak para se të hynin në fuqi dy vendime që Qeveria e Kosovës i mori në fund të qershorit lidhur me çështjen e letërnjoftimeve në pikëkalimet kufitare dhe targat e automjeteve.
Pas të shtënave, vendosjes së barrikadave dhe incidenteve që e krijuan një atmosferë lufte në afërsi të pikëkalimeve kufitare me Serbinë në Jarinjë dhe Bërnjak, Qeveria e Kosovës u zmbraps.
Ambasadori Hovenier intervenoi duke u takuar me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, të cilëve iu kërkoi ta shtyjnë zbatimin e këtyre dy vendimeve. Kërkesa u pranua.