Një draft për Asociacionin, ish-kryediplomati Enver Hoxhaj thotë se e ka lëshuar në publik Fondacioni gjerman “Friedrich Elbert Stiftung”. Këtë fondacion ai e akuzon se njësoj si tani për Asociacionin, në vitin 2015-2016, ka shpërndarë fjalën se Kosova humbet 10 mijë hektarë nga Demarkacioni me Malin e Zi.
Përveç një draft-marrëveshjeje të ashtuquajtur franko-gjermane, ekzistenca e se cilës është pranuar zyrtarisht nga Perëndimi, ka qarkulluar edhe një “draft” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Enver Hoxhaj i PDK-së, thotë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe, duhet të ketë referencë marrëveshjet e Brukselit dhe, mbi të gjitha, mendimin e Gjykatës Kushtetuese për të, e jo draftet që kanë dalë në publik së fundmi.
Këtu ai përmend një draft të Asociacionit që, sipas tij, ka rrjedhur nga fondacioni gjerman Friedirich Elbert Stiftung.
“Kam mbetur i habitur nga drafti që ka dalë, më duket, nga Friederich Elbert Stiftung. Dhe, nuk mendoj se drafti që ka dalë në media është i ndërlidhur me këtë kornizën”, ka thënë Hoxhaj mbrëmë në DPT te Fidani.
Ai tërheq një paralele në përfshirjes së FES në debatin për Demarkacionin. Sipas tij, ky fondacion ka nxjerrë në publik spekulimin se Kosova po humbiste mijëra hekarë tokë në demarkimin e kufirit me Malin e Zi.
“Nuk jam prej atyre që beson shumë në konspiracion, por ky fondacion, në vitin 2016 ose 2015-në, e ka pasur një raport të rrejshëm për demarkimin e kufirit me Malin e Zi. Atë pikëpamjen që Kosova po i humb 10 mijë hektarë tokë e ka shitur ky fondacion”, thotë Hoxhaj.
“Pse përsëri Friederich Elbert Stiftung del me një dokument, ku ne s’e dimë fare se kush qëndron prapa tij? Kush e ka hartuar atë dokument? Dhe, e gjuan në një kohë, për ta bërë goxha toksik ambientin rreth të drejtave, kompetencave, rolit dhe dizajnit të këtij Asociacioni” , ka thënë ai.
Hoxhaj thotë se Kosova për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet ta bazojë te marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel dhe opinionit të Gjykatës Kushteteuse rreth tij.
“Këtë dokument mendoj se s’duhet ta marrim fare seriozisht. Ne duhet t’i referohemi marrëveshjes së 2013-s dhe të 2015-s për Asociacionin, dhe, mbi të gjitha, vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila është super e qartë se çfarë karakteri, funksioni dhe çfarë qëllime mund të ketë Asociacioni, nëse themelohet në Kosovë”.
Në në fund të muajit shtator, mediumi serb proqeveritar “Novosti” ka shkruar se Friederich Elbert Stiftung është angazhuar për hartimin e një drafti të Asociacionit. Por, ky fondacion i kishte mohuar pretendimet e mediave serbe.