Megjithëse ishin bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, dje më 1 shtator vetëm disa shkolla zhvilluan mësim.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dje përmes një njoftimi për media ka bërë me dije se përkundër se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, nga informatat jo të plota që kanë marr kryesisht nga komunikimi i zyrtarëve të MASHTI-t me zyrtarë komunal janë informuar që shumica e shkollave në Kosovë nuk kanë mbajtur mësim për shkak të grevës së shpallur nga BSPK-ja.
“Sipas të dhënave të Ministrisë, situata dallon nga shkolla në shkollë, ku në disa ka nisur procesi mësimor e në disa të tjera mësimi është mbajtur pjesërisht. Po ashtu, si Ministri e Arsimit jemi të informuar për presione të shumta politike tek shkollat. Duke respektuar të drejtën e atyre që janë në grevë presim që të respektohet edhe e drejta e mësimdhënësve të cilët nuk janë në grevë dhe duan të punojnë”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e Ministrisë, raporton RTKlive.
MASHTI u ka bërë thirrje Drejtorive Komunale të Arsimit që t’i përgjigjen obligimit dhe të mbajnë komunikime në vijë institucionale rreth vijueshmërisë së procesit mësimor në shkolla.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) njofton se greva e përgjithshme është duke u zhvilluar dhe se ajo është shtrirë në të gjitha nivelet e shkollave dhe në administratat komunale në gjithë vendin, pa probleme e plotësisht sipas rregullave dhe normave ligjore.Sipas BSPK-së të punësuarit grevistë janë edhe më të vendosur në të drejtën e tyre e sidomos pas kërcënimeve aspak të mira dhe rrënuese për demokracinë.
“Ndërhyrja e Partnerit Social – Qeverisë në rrjedhën e grevës është joligjore dhe këtë do të duhej ta di mirë Partneri ynë Social – Qeveria. Është ligji ai që të punësuarit grevist ia jep këtë të drejtë e cila nuk duhet t’i cenohet e as që mund t’i cenohet dhe as t’i merret nga askush e aq më pak nga Partneri ynë Social – Qeveria e cila e ka për detyrë t’i mbrojë dhe t’u dalë krah veprimeve ligjore duke e krijuar mjedisin e duhur dhe të shëndetshëm për funksionimin normal e ligjor të shoqërisë”, thuhet në njoftimin e BSPK-së.
Sipas sindikalistëve, tërheqja nga greva nuk do të ndodhë e as që mund të ndodhë, se është joligjore – dhe ligji për grevën detyron të punësuarin të bëhet grevist e të hidhet në grevë.Rreth fillimin të grevës në arsim ka pasur reagime edhe nga lidershipi e Kosovës dhe partitë opozitare.Sipas presidentes së shtetit Sindikata e Arsimit parauniversitar ka të drejtë t`i adresoj shqetësimet në raport me mirëqenien e mësimdhënësve dhe pagave të tyre, por gjithmonë duke shmangur dëmin e pariparueshëm që i bëhet interesit të nxënësve nga ndalimi i procesit mësimor.
“Çdo 1 shtator kemi uruar nxënësit e mësimdhënësit tanë për një vit shkollor të mbarë. Sot në vend të urimit, duhet të dërgojmë mesazh reflektimi, shkaku i grevës dhe mosfillimit të procesit mësimor, duke ftuar palët e përfshira në këtë çështje që bojkotin e procesit mësimor ta zëvendësojnë me dialog”, ka shkruar presidentja Osmani.
Kryeministri i vendit siguroi mësimdhënësit se koeficienti i pagave i parashikuar për ta, do të jetë më i mirë sesa në të kaluarën.Ai tha se e kupton që greva është instrument i sindikatave, por sindikatat nuk bën të jenë instrument i bojkotit të Qeverisë e shtetit.
“Shkolla nuk bën të bojkotohet. Është e drejtë elementare e çdo fëmije që të edukohet”.
Kryeministri Kurti deklaroi se shpreson që procesi mësimor të vazhdojë sepse asnjë ditë e humbur nuk kompensohet lehtë.
Ai u bëri thirrje prindërve e mësimdhënësve që ta kuptojnë se jemi në një moment historik dhe nuk bën të braktiset mësimi.
“Nuk ka kurrfarë urrejtje apo hakmarrje ndaj askujt. Por, një gjë duhet ta kuptoni – s’mund të paguhen njerëzit për punën që nuk e bëjnë. Ata duhet të paguhen për punën që bëjnë sipas meritës. Kjo është jo vetëm çështje e ligjit, por edhe e arsyes së shëndoshë mendore”.