Dita Botërore e Refugjatëve është një ditë ndërkombëtare e caktuar nga Kombet e Bashkuara për të nderuar refugjatët anembanë globit. Ajo shënohet çdo vit më 20 qershor dhe feston forcën dhe guximin e njerëzve që janë detyruar të largohen nga vendi i tyre për t’i shpëtuar konfliktit ose persekutimit.
Më shumë se dy dekada më parë, mbi 1 milion shqiptarë nga Kosova u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës së tmerrshme dhe krimeve të kryera nga Serbia. Ata kryesisht shkuan në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, por edhe në vende të tjera.
Kjo ditë, këtë vit, shënohet me mendjen te ukrainasit të cilët janë të detyruar që të largohen nga vendi pas agresionit të paprovokuar rus.
UNHCR thotë se refugjatët duhet të trajtohen me dinjitet dhe kërkimi i sigurisë është një e drejtë njerëzore.
Ngado që vijnë, njerëzit e detyruar të ikin duhet të mirëpriten. Refugjatët vijnë nga e gjithë bota. Për të shpëtuar nga rreziku, ata mund të marrin një avion, një varkë ose të udhëtojnë në këmbë. Ajo që mbetet universale është e drejta për të kërkuar siguri.
Sa herë që njerëzit detyrohen të ikin, ata kanë të drejtë të mbrohen. Cilido qoftë kërcënimi – lufta, dhuna, persekutimi – të gjithë meritojnë mbrojtje. Gjithkush ka të drejtë të jetë i sigurt, thuhet në mesazhin e UNHCR-së me rastin e shënimit të kësaj dite.
Në maj të vitit 2022, bota arriti një moment historik të mprehtë: numri i njerëzve të zhvendosur me forcë globalisht tejkaloi 100 milionë, ose më shumë se 1 për qind e popullsisë së botës dhe e barabartë me vendin e 14-të më të populluar në planet, sipas Agjencisë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara.