Sot u mbajt ceremonia e diplomimit të gjeneratës së pestë të studentëve të Fakultetit të Sigurisë Publike (FSP) në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, ku janë diplomuar 51 studentë prej të gjitha agjencioneve të sigurisë publike.
Pjesë e kësaj ngjarjeje ishin ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Samedin Mehmeti, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe drejtori i Departamentit për Siguri Publike në OSBE Edward Anderson.
Ministri Sveçla ka thënë se kjo gjeneratë duhet që diturinë e përfituar, ta përdorë për të rritur vigjilencën në sigurinë e vendit pasi që Serbia është renditur krah Rusisë.
“Ju lus të mos ndaleni së punuari për më shumë dituri në fushën tuaj. Në të kaluarën siguria jonë është cenuar shpesh, andaj dituria juaj do të përdoret për të rritur sigurinë e vendit tonë. Ju duhet të bëheni vigjilentë. Serbia është renditur krah Rusisë dhe jemi duke u treguar vigjilentë e të përgatitur”, ka thënë Sveçla.
Ndërsa ministrja Albulena Haxhiu ka deklaruar se shtetit tonë po i shtohet një gjeneratë e re, e cila do të ndikojë pozitivisht në sigurinë e vendit
“Periudha për të arritur deri këtu nuk ka qenë e lehtë, por pavarësisht sfidave ju keni arritur deri këtu. Jam e lumtur që shtetit tonë po i shtohen gjenerata të reja për të rritur sigurinë e vendit në të cilën po kalojmë ashtu siç e tha edhe ministri Sveçla. Ju lutem që t’i shërbeni qytetarëve me përkushtim profesional, sepse këtë e kërkon vendi ynë”, ka thënë Haxhiu.
Samedin Mehmeti, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, tha se duhet të kujdesemi si mbrojtës të institucioneve të vendit që askush të mos jetë mbi ligjin.
Zëvendësdrejtori i Akademisë Publike Kastriot Jashari ka thënë se ky institucion ka qenë gjithmonë tempull i dijës për fushën e sigurisë.
Ndërsa, dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike Bejtush Gashi ka thënë se sot janë diplomuar studentët me standarde të larta shkencore dhe akademike, në përgjithësi sipas tij gjenerata e pestë kanë diplomuar gjithsej 116 studentë.
Në këtë ceremoni janë certifikuar edhe dy studentë të cilët kanë qenë më të dalluarit gjatë studimeve. Qëndresa Ramadani tha se ëndrra e saj ka qenë të bëhet police.
“Jam vlerësuar vazhdimisht nga akademia, kanë qenë katër vjet shumë me sfida por ato i tejkaluam, sidomos në profesionin tonë, do të na mungojnë debatet në klasë. Ëndrra ime ka qenë që të bëhem police dhe këtë e arrita”, tha ajo.