Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja për vrasjen e djeshme në lokalin “Kobra City” në Prizren, ku si i dyshuar u arrestua pronari i lokalit, personazhi i njohur Dibran Hoxha, i njohur me nofkën “Kobra”.
Në raportin 24 orësh, policia ka bërë me dije se fillimisht, në lokalin “Kobra City” ka pasur shkëmbim zjarri, e më pas konflikti ka vazhduar edhe jashtë lokalit.
“Është raportuar se, nga disa persona në një lokal ka pasur shkëmbim zjarri. Pas incidentit, tre nga të përfshirët në rast që ishin shtetas të Shqipërisë janë larguar me veturë në drejtim të Republikës së Shqipërisë. Pas kontaktit me autoritetet e Shqipërisë, është konfirmuar se njëri nga personat e përfshirë në incident ka ndërruar jetë, ndërsa një tjetër është i plagosur”, ka thënë Policia.
Lidhur me rastin janë arrestuar gjashtë të dyshuar, teksa në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar edhe tri gëzhoja.
“Lidhur me rastin janë arrestuar gjashtë të dyshuar meshkuj kosovar dhe të njëjtit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. Me urdhër të prokurorit është kryer bastisje në lokalin ku ka ndodhur incidenti, dhe në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit lidhur me rastin, janë sekuestruar disa dëshmi. Po ashtu në afërsi të vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar tri gëzhoja. Njësitë e hetuesisë janë në koordinim me autoritetet e Shqipërisë për vazhdimin e ekzaminimeve e trupit të pajetë si dhe veturën e viktimës. Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente policore”, ka thënë tutje Policia në raportin 24 orësh.