Deputeti i Ukrainës, Oleksiy Goncharenko, që u bë promovuesi i pavarësisë së Kosovës në vendin e tij, sot ka uruar kosovarët për ditën e tyre.
Ai tha se Ukraina është ende në rrugën për ta njohur pavarësinë e Kosovës, por se do të bëjë gjithçka mundet për ta bërë të mundshme këtë.
“Ju keni një vend të mrekullueshëm dhe njerëz të mrekullueshëm! Ukraina është ende në rrugën e njohjes së pavarësisë së Kosovës, por unë po bëj gjithçka që kam në dorë për ta afruar këtë moment”, ka shkruar ai në Twitter.
Goncharenko kishte filluar edhe një peticion për njohjen e pavarësisë së Kosovës në Ukrainë.
Një deklaratë shpresëdhënëse për këtë çështje sot e ka bërë ambasadori ukrainas në Tiranë, i cili nga Korça tha se pasi të fitojnë luftën me Rusinë, njohja e pavarësisë së Kosovës do të jetë hapi i dytë.
Volodymyr Shukrov u shpreh se sot Ukraina është në zjarrin e luftës, ndaj fillimisht duhet të fitojnë këtë luftë më pas do të shikojnë edhe çështje të tjera.