Deputeti i Ukrainës, Oleksi Goncharenko, ka folur në gjuhën shqipe në fundin e fjalimit të tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
“Le t’i përkrahim këto shtete, Kosova është Evropë”, tha deputeti ukrainas në fjalimin e tij, që u përcoll me duartrokitje.
Ai kritikoi shtetet që nuk po e njohin pavarësinë e Kosovës, përderisa theksoi se këtë duhet ta bëjë edhe Parlamenti i Ukrainës.
“Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi që të afrojmë vendet e Ballkanit me Evropën. Kush deshi të bëj grusht-shtet në Mal të Zi, kush deshi të destabilizojë Bosnjën, Rusia. Kjo është pse duhet të përkrahim këto shtete, dhe sidomos duhet të flas për Kosovën. Kosova duhet të pranohet nga të gjitha shtetet e Këshillit të Evropës. Unë adresohem te ju: pranojeni këtë shtet, për të ardhmen dhe për pavarësinë, ata duhet të ulen këtu në Këshill të Evropës. Vetëm kështu ne jemi më të fortë. Edhe Parlamenti i Ukrainës duhet ta njohë Kosovën. Këto shtete mund të jenë pjesë e fortë e planeve tona të mëdha. Kosova është Evropë”, deklaroi Goncharenko.