Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, thotë se reciprociteti i vendosur së fundmi për letërnjoftime ndaj Serbisë do të forcojë pozitën e Kosovës në dialog. Ai thekson se për sa kohë që Serbia nuk i njeh dokumentet e Kosovës, nuk mund të njihen as dokumentet e Serbisë.
Rrustemi thotë për KosovaPress se vetëm duke u trajtuar si palë e barabartë në dialog me Serbinë, do të arrihet edhe njohja reciproke, e cila, sipas tij do të jetë në qendër dhe rreth saj do të trajtohen të gjitha çështjet mes palëve.
“Padyshim sepse siç e kemi thënë vazhdimisht, e kanë thënë edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, presidenti amerikan dhe pastaj edhe kancelari gjerman, që marrëveshja me Serbinë do të ketë në qendër njohjen. Njohja nuk ka vetëm kuptimin e strukturës së marrëveshjes, njohja në qendër është princip rreth së cilës do të trajtohen të gjitha çështjet mes palëve. Parimi i reciprocitetit është edhe kontribut në këtë drejtim sepse Kosova duhet të trajtohet si palë e barabartë dhe jo si çështje siç është trajtuar në të shkuarën. Por në anën tjetër, pavarësisht raporteve apo relacionin në dialog, Kosova nuk mund të vepronte ndryshe përveçse me mbrojtur rendin e saj kushtetues dhe ligjor”, thotë ai.
Përveç që e quan të drejtë vendimin e qeverisë për reciprocitetin për letërnjoftime ndaj Serbisë, deputeti i mazhorancës, thotë se i njëjti mbron rendin ligjor dhe kushtetutshmërinë e vendit.
“Është një vendim i drejtë dhe i pritshëm. Reciprociteti është një parim i të drejtës ndërkombëtare dhe një parim që karakterizon raportet në mes shteteve, aq më tepër për LVV-në që në vazhdimësi e ka thënë se reciprociteti do të jetë principi kryesor i çfarëdo raporti me Serbinë, por edhe me shtetet e tjera. Konsideroj se është vendim i drejtë, në mbrojte të kushtetutshmërisë dhe të rendit tonë ligjor dhe kushtetues, përveçse në mbrojtje të interesave të Kosovës. Nuk mund të pritej ndryshe nga Qeveria e Kosovës që e ka këtë përgjegjësi. Natyrisht për sa kohë që shteti serb nuk njeh dokumentet e Kosovës, natyrisht se nuk mund të njihen as dokumentet e Serbisë”, shton Rrustemi.
Lidhur me pasojat e mundshme që mund të dalin si pasojë e reciprocitetit, Rrustemi deklaron se për sa kohë që Serbia ka qasje diskriminuese dhe cenuese për qytetarët e Kosovës, nuk iu ka mbetur zgjidhje tjetër institucioneve të Kosovës përveç reciprocitetit.
“Më vjen keq që po flasim për një lloj reciprociteti negativ, do të doja të flasim për një reciprocitet pozitiv, në kuptimin që Serbia të njohë dokumentet e Kosovës dhe pastaj Kosova të njohë dokumentet e Serbisë, Serbia të njohë targat e Republikës së Kosovës dhe pastaj Kosova të njohë targat e Serbisë, dhe pastaj Serbia të njohë Republikën e Kosovës dhe pastaj Kosova të njohë Republikën e Serbisë. Por për sa kohë shteti serb ka një qasje të tillë, diskriminuese dhe cenuese, nuk i mbetet tjetër institucioneve të Kosovës veçse t’i përmbushin përgjegjësit që i kanë”, deklaron Rrustemi.
Kreu i Komisionit parlamentar për Legjislacion nënvizon edhe nevojën e Kosovës për shtyrjen përpara të Procesit të Berlinit deri në integrim të plotë në Bashkim Evropian.
“Procesi i Berlinit është rruga të cilën duhet të ndjek Republika e Kosovës edhe sa i përket raporteve rajonale. Në njërën anë, Procesi i Berlinit është një proces drejt BE-së, në anën tjetër është një proces i konceptuar nga BE-ja që i trajton palët në mënyrë të barabartë. Ndërkohë nuk është ndonjë kundërvënie alternativ e Ballkanit të Hapur, por siç e kemi thënë Ballkani i Hapur është një ide që ka lindur në Serbi dhe natyrisht është si kundërvënie e procesit të integrimit në BE dhe Procesit të Berlinit. Kosova nuk ka rrugë tjetër përvese me ndjek këtë proces”, përfundon Rrustemi.