Përpara vazhdimit të dialogut ndërmjet Prishtinë dhe Beogradit të udhëhequr nga BE-ja, SHBA-ja thotë se suksesi i negociatave të Brukselit është “prioritet absolut” për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ne jemi të kënaqur që liderët e Serbisë dhe Kosovës do të takohen në Bruksel si pjesë e një dialogu të ndërmjetësuar nga BE. Ne e mbështesim plotësisht këtë dialog. Është e rëndësishme që ne besojmë se të dyja palët e përdorin këtë mundësi për të çuar përpara bisedimet e tyre për normalizimi i marrëdhënieve. Ky është prioriteti ynë. Ne dëshirojmë të shohim progres dhe zbatimin e marrëveshjes”, ka thënë gjatë ditës së djeshme zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price për The Pavlovic Today, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.
Dialogu dhe kompromisi, thotë ai, nuk janë shenja dobësie, por janë thelbësore për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve, e cila, thotë ai, është ende thelbësore si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë kur bëhet fjalë për aspiratat e tyre drejt BE-së.
“Shpresojmë që liderët në Serbi dhe Kosovë të kuptojnë rëndësinë e ecjes përpara, jo prapa, përmes dialogut të udhëhequr nga BE-ja”, tha ai.
Edhe pse SHBA, siç thotë ai, nuk po marrin pjesë në dialog, suksesi i këtyre bisedimeve është “prioritet absolut” i tyre.
Gjatë ditës së djeshme në Bruksel ka udhëtuar edhe zëvendës-ndihmësi i Sekretarit të Shtetit për Çështjet evropiane dhe euroaziatike, Gabriel Escobar.
Nga DASH i thanë Gazetës Online Reporteri.net se Përfaqësuesi i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, udhëtoi në Bruksel “për ta mbështetur takimin e nivelit të lartë të 18 gushtit të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE”.
Esobar nga Brukseli ku kishte takim me kryeministrin Kurti dhe presidentin serb Vuçiq tha se shpreson në një marrëveshje, cila ruan sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës dhe gjithashtu parandalon dhunën.
“Ne duam të kemi bisedime produktive nesër dhe po shpresojmë që të dyja palët mund të arrijnë një marrëveshje, e cila ruan sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës dhe gjithashtu parandalon dhunën. Kështu që po shpresojmë për bisedime të mira”, ka thënë ai për Kanal 10.
Kurti e Vuçiq do të takohen sot Bruksel, me fillim nga ora 10:30. Ky takim do të ndërmjetësohet nga Shefi i Diplomacisë së BE’së, Josep Borrell, i dërguari i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Një marrëveshje të mundshme në takimin e sotëm ka paralajmëruar Përfaqësuesi Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Lajçak ka thënë se presin një marrëveshje nga takimi i sotëm mes Kurtit e Vuçiqit, por jo atë finalen.
“I kam takuar Kurtin dhe Vuçiq ndaras, për të diskutuar programin dhe për t’i përgatitur për takimin e nesërm. Presim një marrëveshje nesër, jo finale natyrisht, do të ishte shumë naive të shpresonim atë”, ka thënë Lajçak dje gjatë prononcimit për media.