Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se nuk po rritë pagat, kurse thotë se në anën tjetër janë trefishuar çmimet.
“Qeveria e Kosovës mban mbi 700 milionë euro të bllokuara, nuk i rrit pagat e sektorit publik dhe nuk ndihmon sektorin privat”, ka shkruar ajo.
Postimi i saj:
S’ka ulje të çmimeve, s’ka paga, s’ka mirëqenie, s’ka siguri
Trefishimi i çmimeve në të gjithë artikujt ka rrezikuar mbijetesën e familjeve të varfëra, po varfëron shtresën e mesme, po e përkeqëson kualitetin e jetesës, po i rrezikon pensionistët.
Në mungesë të vizionit dhe masave të parakohshme për të luftuar inflacionin dhe ngritjen e çmimeve, Qeveria e Kosovës mban mbi 700 milionë euro të bllokuara, nuk i rrit pagat e sektorit publik dhe nuk ndihmon sektorin privat!
Mungesa e parashikueshmërisë, mungesa e jetësimit të premtimeve populiste, qytetarëve të Kosovës po ua then murin e izolimit, mjerimit dhe të varfërisë përmes migrimit legal dhe ilegal.
Në ditët që na presin ne duhet të bashkohemi, të jemi afër qytetarëve, afër halleve të tyre në betejën për të përballuar krizën e ngritjeve të çmimeve.