Sot Presidentja Osmani do të takohet me partitë politike për të biseduar rreth caktimit të datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – pasi kryetarët e fundit dhanë dorëheqje për shkak të vendimit për targat.
Lajmi është bërë i ditur disa ditë më parë nga presidenca.
Përveç komunave, serbët në shenjë revolte kanë lëshuar edhe kuvendin, qeverinë, policinë, gjykatën, prokurorinë e doganën. Për të mos e marrë një veprim të tillë, krerët e shtetit kanë bërë thirrje vazhdimisht që serbët të qëndrojnë në institucionet e Kosovës.
Njoftimi i plotë i presidencës:
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, duke pasur parasysh afatet ligjore të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, sot u ka dërguar ftesa subjekteve politike për konsultim për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Takimi konsultativ me subjektet politike do të mbahet më 14 nëntor.
Një ftesë e tillë është dërguar pasi që kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre.
Këto dorëheqje janë dorëzuar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), për të cilat është njoftuar edhe Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës.
Pas konsultimit me partitë politike, Presidentja Osmani pritet ta shpallë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të këtyre katër komunave brenda afateve ligjore.