Rritja e vazhdueshme e çmimeve të naftës në Kosovë ka goditur bujqit.
Blerim Gashi, nga fshati Krushë e Madhe i Rahovecit, thotë se shtrenjtimi i naftës, por edhe i produkteve të tjera që i duhen për prodhim, e ka shtyrë atë të mendojë nëse do ta punojë sërish tokën vitin e ardhshëm.
Sivjet, ai ka punuar një hektar toke me patate, mbi një hektar me speca dhe rreth tetë hektarë me misër.
Situatën më së shumti thotë se ia ka rënduar rritja e çmimit të naftës.
“Shumë është problem, sepse është bërë gati dy euro nafta. Vjet e kemi pasur 50 për qind më lirë sesa sivjet. Çmimet e shitjes (së perimeve) janë të njëjta, sikur vjet, sikur sivjet. Aq më e dobët është shitja. Plehu kimik kushton 23-24 euro një thes që është 25 kilogramësh. Diku, i bie një euro kilogrami. Vjet ka qenë 8 euro, 8 e gjysmë, 9 euro më së shumti. Nuk do të mund ta përballojmë më”, thotë Gashi.