Ish-kampionët e botës në patinazh artistik, Yevgenia Shishkova dhe Vadim Naumov, ndodheshin në bordin e avionit të “American Airlines”, i cili u rrëzua në lumin Potomac në Uashington mbrëmjen e së mërkurës, raportojnë mediat shtetërore ruse.
Shishkova dhe Naumov, të cilët ishin të martuar dhe kishin fituar titullin botëror në patinazhin në çift në vitin 1994, raportohet se ishin zhvendosur në Shtetet e Bashkuara që nga viti 1998, ku trajnonin patinatorë të rinj.
Sipas agjencive ruse të lajmeve TASS dhe RIA, në avion ndodhej edhe djali i tyre, Maxim Naumov, i cili ka përfaqësuar SHBA-në në disiplinën individuale të patinazhit artistik. Ai së fundmi kishte marrë pjesë në Kkampionatin amerikan të Patinazhit Artistik në Wichita, Kansas, që u mbajt nga datat 20 deri më 26 janar.
Çifti raportohet se po kthehej nga gara dhe po udhëtonte me një grup patinatorësh të rinj. Sipas medias ruse Mash, në avion besohet se ndodheshin të paktën 13 patinatorë, shumë prej tyre fëmijë të emigrantëve rusë që jetojnë dhe stërviten në SHBA.
Autoritetet ajrore dhe ekipet e shpëtimit po vijojnë kërkimet për të identifikuar të mbijetuarit dhe viktimat e tragjedisë. Hetimet për shkaqet e rrëzimit të avionit janë ende në vazhdim.