Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike (ALPEX) do të nis tregtimin më 12 prill.
Fillimi i tregtimit shënon përmbushjen e një prej objektivave kryesore të Shqipërisë, në kuadër të zbatimit të detyrave dhe angazhimeve të Shqipërisë në traktatin e energjisë së vendeve të Evropës Juglindore, për të cilat aktorë si MIE, ERE dhe OST kanë qenë të angazhuar.
Enti Rregullator i Energjisë (ERE) miratoi këtë javë, në mbledhjen e Bordit propozimin e ALPEX dhe miratoi njësinë kohore të Tregut, që i përket orës 00:00 të 12 prillit, si dita e fillimit të tregtimit në Bursë, raportoi Agjencia Telegrafike Shqiptare.
Operimi i Bursës do të krijojë kushtet për një treg transparent dhe likuid, si dhe do të krijojë mundësinë për zgjerimin me bashkimin e tregjeve të energjisë elektrike me Kosovën, si një fazë e parë, me rajonin dhe më tej, me tregjet e BE-së, në zhvillimin e mëtejshëm të tregut të përbashkët Evropian.
Kjo do të sjellë sfida të reja për aktorët e tregut në Shqipëri, përfshirë edhe Rregullatorin.