Gjykata Themelore në Gjakovë, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit G.K, i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, akuzohet për dy vepra penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas një njoftimi për media, kryetari i trupit gjykues i departamentit për krime të rënda, Drilon Haraçia, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim unik me burgim të përjetshëm.
“I pandehuri G.K., akuzohet se me datën 11 shkurt 2020, në fshatin Bërnjak, Komuna e Rahovecit, pikërisht në shtëpinë e tani të ndjerit, për shkak të konflikteve që kishin mes tyre lidhur me pronën, i akuzuari G.K., me dashje ka privuar nga jeta vëllain e tij, B.K., ku me pas e ka djegur trupin e të ndjerit dhe mbetjet i ka hedhur në një vend deri tani të pa identifikuar, me qëllim për ti zhdukur gjurmët e krimit”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se i pandehuri ka qenë i dënuar më parë për vrasjen e bashkëshortes nga Gjykata e Lozanës, në Zvicër.
“Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar”, thuhet ndër të tjera në njoftim.