Pavarësisht kërcënimit të Qeverisë se grevistëve do t’u pezullohen pagat, nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës(BSPK) kanë deklaruar se tashmë janë në grevë.
Kreu i BSPK-së, Atdhe Hykolli, ka thënë se Qeveria po kërcënon grevistët dhe se kjo është antiligjore. Ai e ka quajtur këtë gabim shumë të madh të Qeverisë.
“Të kërcënosh grevistët e qetë dhe në të drejtën e tyre është shkelje e normës dhe parimeve të shtetit demokratik e juridik dhe mbi të gjitha marrje e së drejtës për grevë – me fjalë të tjera është gabim shumë i madh”, thuhet në komunikatën e BSPK-së.
Hykolli ka deklaruar se Qeveria duhet të ulet në tavolinën e dialogut dhe të dilet me zgjidhje për kërkesat e të punësuarve.
Komunikata e BSPK-së:
Sot, e enjte, më 25 gusht 2022, duam të informojmë opinionin se tash më jemi në grevë të përgjithshme, dhe jemi në grevë pa dëshirën tonë por të detyruar nga premtimet dhe zvarritjet në përmbushjen e kërkesave të ligjshme dhe të arsyeshme, nga premtimet që nuk u përmbushën kurrë dhe nga zvarritjet e qëllimshme që prodhuan këtë – hyrjen në grevë.
Partneri ynë Social – Qeveria po kërcënon grevistët dhe kjo është antiligjore se shkelet ligji për grevat, LIGJI Nr. 03/L-200, Neni 11, 13 dhe 18, e mbi të gjitha kjo nuk është aspak e mirë.
Të kërcënosh grevistët e qetë dhe në të drejtën e tyre është shkelje e normës dhe parimeve të shtetit demokratik e juridik dhe mbi të gjitha marrje e së drejtës për grevë – me fjalë të tjera është gabim shumë i madh.
Partneri ynë Social – Qeveria duhet t’i jepet arsyes dhe të ulet në tavolinën e dialogut të sinqertë prej nga duhet të dalim me zgjidhjen e duhur, dhe zgjidhja e duhur është përmbushja e kërkesave të të punësuarve.
Kryetari i BSPK-së
Atdhe Hykolli.