Beogradi pret që Prishtina të themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ka thënë kryeministrja serbe, Ana Brnabiç në takim me ministren gjermane për çështje evropiane, Anna Lirman, raporton gazeta online Reporteri.net.
Duke biseduar për çështjet e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Brnabiç i ka thënë Lirman se “Beogradi ka bërë çdo gjë që parashihet nga Marrëveshja e Brukselit”, thotë komunikata për media e Kryeministrisë së Serbisë.
Në komunikatë nuk potencohet që Lirman të ketë dhënë ndonjë koment për çështje të dialogut, por vetëm që vazhdimësia e Procesit të Berlinit është tejet i rëndësishëm.
Para kryeministres serbe, ministrja gjermane u takua edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, ku edhe më këtë të fundit temë e bisedimeve ishte edhe dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Gjermania ka qenë më eksplicitja nga vendet më të mëdha të Bashkimit Evropian e cila ka kërkuar që Serbia ta njohë Kosovës, dhe se rrjedhimisht pa njohje të ndërsjellë anëtarësimi në BE është i pamundur./Reporteri.net/