Banka Qendrore e Kosovës, përmes një draftligji do të adresoj rritjen e çmimeve të shërbimeve bankare. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i saj, Kushtrim Ahmeti.
Në anën tjetër, njohës të çështjeve ekonomike thonë se rritja e çmimit të tarifave po varfëron xhepin e qytetarëve dhe bizneseve.
Bankat në Kosovë kanë shtrenjtuar tarifat e shërbimeve të tyre.
Për të adresuar çështjen e çmimeve të shërbimeve bankare, Banka Qendrore e Kosovës, është në finalizim të një draftligji, ku përveç Direktivës për Shërbime të Pagesave dhe Direktivës për Institucionet e Parave Elektronike, planifikohet të transpozojë edhe Direktivën e BE-së “Për llogarinë e pagesës”.
Kështu ka bërë të ditur për Radio Kosovën zëdhënësi i BQK-së Kushtrim Ahmeti, i cili tha se janë marrë masa, e diskutime me sektorin bankar, në lidhje me përfshirjen financiare dhe produktet bankare që ofrohen nga to.
Zëdhënësi i BQK-së, ka thënë se Bazuar në Ligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve, bankat janë të obliguara të informojnë 1 muaj përpara klientët lidhur me çdo ndryshim, përfshirë këtu edhe çështjen e shumës së mirëmbajtjes së llogarisë.
Rritja e këtyre çmimeve të shërbimeve bankare nga kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, po shihet si rritje qe e varfëron xhepin e qytetarit, konsumatorit dhe bizneseve.
“Kur kësaj i shtohet edhe jotransaprenca atëherë kjo është forme e rëndë për çdo klient që ka llogari bankare. Sipas rregullave, bankat duhet t’i paralajmërojnë më shkrim klientët e vet për ngritje të tarifave dhe kjo do t’i bënte klientët të vendosin se a do t’i mbajnë paratë në bankë apo do t’i tërheqin nga ajo bankë. Sistemi financiar dhe sektori financiar mbetet një nga sektorët më të shtrenjtë në Evropë”, tha Shahini për Radio Kosovën.
Shahini tha se të njëjtat banka që e kanë bazën në vendet e BE-së atje operojnë më çmime të ulëta e në Kosovë aplikojnë tarifa 4 herë më të larta.
Shahini thotë se BQK-ja është autoritet mbikëqyrës dhe për këtë duhet të merr në përgjegjësi.
“Pse lejohet një gjë e tillë. BQK ka autoritetin të ndalon gjitha veprimet e jashtëligjshme apo që janë në kundërshtim me direktivat evropiane, pavarësisht ato banka që edhe vijnë nga BE apo vende të botës ato janë të licencuara nga BQK dhe ato i përgjigjen BQK-së”, shtoi ai.
E BQK-ja përmes një përgjigje kujton se në Kosovë janë të licencuara 11 banka komerciale, ku klientët mund të zgjedhin në mënyrë vullnetare bankën me të cilën mund të bashkëpunojnë.