Bashkimi Evropian ka konfirmuar gatishmërinë për t’i dhënë Bosnjë-Hercegovinës statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Shtetet anëtare i kërkuan Komisionit Europian (KE) të përgatisë një raport të ri mbi procesin e reformave në vend, pas të cilit BE-ja do të jetë gati të shqyrtojë mundësinë e dhënies së statusit të kandidatit.
Bashkimi Evropian është i gatshëm t’i japë Bosnjë-Hercegovinës statusin e një vendi kandidat dhe, për këtë qëllim, i bën thirrje Komisionit (Evropian) që t’i raportojë pa vonesë Këshillit të BE-së mbi zbatimin e 14 prioriteteve kryesore të përcaktuara në opinion.
Burime diplomatike në Bruksel kanë konfirmuar se me kandidaturën e Sarajevës do të merret Presidenca çeke, e cila do të ketë mandat nga 1 korriku deri më 31 dhjetor të këtij viti. Këto burime konfirmuan, gjithashtu, se presin një reagim relativisht të shpejtë nga Komisioni, me një vendim të pritshëm në samitin e rregullt te tetorit ose në mbledhjen e dhjetorit të kreve të shteteve dhe qeverive.
Përpara samitit, kryeministri slloven, Robert Golob, njoftoi se do të kërkonte që në përfundimet e samitit, liderët e BE-së të përcaktojnë kornizën kohore kur Bosnja do të marrë statusin e kandidatit.
Sipas burimeve jozyrtare, kjo nismë sllovene është përkrahur nga Kroacia, Austria dhe më vonë Hungaria. Në fund, u gjet një formulim kompromisi që konfirmon gatishmërinë e BE-së për t’i dhënë Bosnjë-Hercegovinës statusin e kandidatit, por pas një raporti të ri nga Komisioni Europian./A2/