Është e mundshme që deri në fund të këtij muaji të ketë një takim të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka paralajmëruar të enjten Josep Borrell, përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri.
Ai e ka cilësuar lajm të mirë faktin që më 21 qershor është arritur marrëveshja për energjinë mes Kosovës dhe Serbisë, raporton Kosovo Online, transmeton Express.
“Është një hap shumë i rëndësishëm përpara dhe ne do të vazhdojmë të punojmë më tej. Është e mundur që deri në fund të muajit të kemi një takim në nivelin më të lartë”, ka thënë ai.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është takuar dy herë me presidentin serb Aleksandër Vuçiq për të diskutuar në tavolinën e Brukselit.
Por takime e nivelit teknik në mes dy shteteve ka pasur, ku është arritur marrëveshja e përkohshme për targat më 30 shtator 2021 dhe kjo e fundit për energjinë.
E për Bashkimin Evropian nuk është veç Kosova e Serbia “problem” në Ballkanin Perëndimor, por edhe ngecja e procesit të integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Kjo pasi Bullgaria është duke e përdorur veton kundër Maqedonisë të cilës ia konteston gjuhën.
Kjo për Borrellin është praktikë e gabuar, sipas tij nuk duhet që vendimmarrja në Bashkimin Evropian të bëhet me konsensus.