Dyert kryesore në katin e parë në hyrje të Kryeministrisë janë blinduar, duke u veshur me llamarinë të fortifikuar, pak orë para protestës së thirrur nga opozita në orën 16:00.
Gjithashtu, në bulevard, shtyllat e ndriçimit janë me material graso. Këto masa, vijnë pasi Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe funksionarë të tjerë demokratë, nuk kanë përjashtuar asnjë lloj skenari për protestën e sotme.
Gjatë një konference për shtyp me gazetarët gjatë ditën e djeshme, Berisha pati një thirrje për Policinë e Shtetit, ku kërkoi që mos të revoltojë protestuesit, pasi ata do shprehin zemërimin e tyre ndaj qeverisë.
I pyetur sesa do të zgjasë protesta, kryedemokrati tha se kjo do të varet nga populli opozitar.
Për mbarëvajtjen e protestës, do të jenë në gatishmëri rreth 1000 efektivë policie, teksa disa akse rrugore do të jenë të mbyllura që prej orës 15:00.