Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka folur në lidhje me 15 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe 25 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Bislimi tha se gurëthemeli i Kosovës u vendos në Prekaz, ndërsa shtyllat e vendit u ngritën 15 vjet më parë në Prishtinë, me pavarësinë dhe Kushtetutën Republikane Parlamentare.
“Dekadat e shtypjes ishin edhe dekada të rezistencës, të lara me gjakun e dëshmorëve e të martirëve tanë. Prandaj, Jasharët që e nisën Epopenë nuk ishin as të papritur e as të çuditshëm, por ishin përfundimi logjik i përballjes së rezistencës me pushtimin, ishin fillimi i fitores”, është shprehur Bislimi.
Deputetët të cilëtn ënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, Bislimi tha se do të mbeten në histori, sepse siç deklaroi ai Kosova e pavarur është realitet i pakthyeshëm.
“Sivjet, e kemi një vit jubilar. Është 25 vjetori i Epopesë dhe 15 vjetori i pavarësisë, festa këto jo vetëm për Kosovën por për krejt shqiptarinë. Jasharët i vunë gurët e themelit, firmëtarët i ngritën shtyllat me pavarësinë. Ne që vijmë më pas, e kemi për detyrë t’i ngremë muret e Kosovës si vend i qytetëruar, vend demokratik, punëtor, ku avancon kultura e ekonomia”, tha Bislimi.