Nga Kryeministria kanë dhënë detaje rreth një bisede telefonike që kryeministri Kurti pati dje me këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të shtetit Derek Chollet.
Sipas komunikatës Kurti ia ka konfirmuar zyrtarit të lartë amerikan gatishmërinë për takime të radhës të nivelit të lartë politik në kuadër të dialogut.
Kurti po ashtu shprehu pajtimin e tij për nevojën që të intensifikohet procesi i dialogut me Serbinë.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti zhvilloi dje një bisedë telefonike me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet. Diskutuan për propozimin evropian, të pranueshëm si bazë të mirë për bisedime të mëtejme dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut në Bruksel. Gjithashtu, u theksua rëndësia e avancimit për Kosovën në integrime ndërkombëtare në kohën kur të arriturat demokratike dhe ekonomike të Kosovës në këto dy vitet e fundit janë evidentuar nga shumë organizata e institute ndërkombëtare prestigjioze. Kryeministri Kurti konfirmoi gatishmërinë e tij për takime të radhës të nivelit të lartë politik dhe shprehu pajtimin e tij për nevojën për intensifikim të procesit të dialogut”, thuhet në njoftim.
Chollet dje tha se ka mirëpritur vendimin e kryeministrit Kurti që ta pranojë propozimin evropian për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë
I njëjti ka kërkuar që ky plan të implementohet, në mënyrë që të vijnë tutje benefitet.
“Fola sot me kryeministrin Albin Kurti. Ne mirëpresim vendimin e Kosovës për të pranuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Tani na duhet implementimi për të siguruar përfitime domethënëse për të dy vendet”, njoftoi Chollet në Twitter.