Presidenti i SHBA Joe Biden u tha aleatëve se raketa që vrau dy persona në Poloni vinte nga sistemi i mbrojtjes ajrore ukrainase, bëri të ditur një burim i NATO-s të mërkurën.
Kështu, të paktën po raporton Reuters. Më herët, Biden tha publikisht se raketa nuk kishte gjasa të ishte lëshuar nga Rusia. Nëse konfirmohet, kjo ka të ngjarë të lehtësojë shqetësimin se incidenti i parë vdekjeprurës në një vend të NATO-s që nga fillimi i luftës në Ukrainë mund të çojë në përshkallëzim, përcjell lajmi.net.
Ambasadorët e NATO-s do të zhvillonin një takim urgjent të mërkurën për të diskutuar shpërthimin e së martës në Poloninë lindore pranë kufirit ukrainas, që ndodhi ndërsa Rusia po gjuante një sërë raketash në mbarë Ukrainën.
Kievi thotë se ka rrëzuar shumicën e raketave ruse në hyrje me raketat e veta të mbrojtjes ajrore. Rajoni Volyn i Ukrainës, pikërisht përtej kufirit me Poloninë, ishte një nga shumë vende që Ukraina thotë se ishte në shënjestër të sulmeve të Rusisë.
Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se asnjë nga raketat e saj nuk goditi më afër se 35 km nga kufiri polak dhe se fotot e rrënojave tregojnë elemente të një rakete ukrainase të mbrojtjes ajrore S-300.
I pyetur nëse ishte shumë herët për të deklaruar nëse raketa u hodh nga Rusia, Biden tha: se kishte informacion paraprak që e kundërshton këtë.