Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi të dielën në Gjermani fillimin e një partneriteti global mbi infrastrukturën që synon t’i kundërvihet ndikimit të Kinës në vendet e botës në zhvillim.
Shtetet e Bashkuara synojnë të mobilizojnë rreth 200 miliardë dollarë, në fonde private dhe publike, gjatë pesë viteve të ardhshme, për të financuar infrastrukturën e nevojshme në vendet në zhvillim, nën një iniciativë të Grupit të Shtatëshes (G7) që synon të sfidojë projektin triliona dollarësh të Kinës “Një brez, një rrugë”.
Të gjitha vendet e G7-ës do të mbledhin së bashku 600 miliardë dollarë, në kuadër të atij që Presidenti Biden e quajti Partneriteti për Infrastrukturën dhe Investimet Globale, një partneritet i orientuar nga vlerat, me standarde të larta e transparente, me synimin për të përmbushur nevojat e mëdha të infrastrukturës të vendeve me të ardhura të ulëta e të mesme, pa i bllokuar ato në ciklet e borxheve. Në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë thuhej se ky është vetëm fillimi i angazhimit perëndimor në këtë drejtim.
Biden thirrje G7-ës: Duhet të qëndrojmë të bashkuar
Më herët Presidenti Joe Biden vlerësoi aleancën globale që po përballet me Rusinë lidhur me luftën e saj në Ukrainë.
Zoti Biden bëri thirrje që koalicioni “të qëndrojë i bashkuar”. Ai tha se Presidenti rus Vladimir Putin mendonte “se mund të na fuste në konflikt me njëri-tjetrin, duke dëmtuar vendosmërinë tonë”. Presidenti amerikan tha se koalicioni nuk është ndarë dhe nuk do ta bëjë një gjë të tillë.
Komentet zoti Biden i bëri gjatë një takimi me Kancelarin gjerman Olaf Scholz përpara se udhëheqësit e Grupit të Shtatëshes (G7), ekonomitë kryesore të botës, të nisnin takimin e tyre vjetor sot në Gjermani.
Presidenti Biden dhe homologët po takohen për të diskutuar mbi çështje të energjisë, përballjen me inflacionin, duke synuar të parandalojnë, që pasojat e luftës të dëmtojnë koalicionit global që punon për të ndëshkuar Moskën.
Presidenti Biden njoftoi gjithashtu se vendet e G-7-s do të ndalojnë importet e arit rus. Ari është një nga eksportet kryesore të Moskës. Me këtë masë udhëheqësit perëndimore shpresojnë ta izolojë më tej ekonomikisht Rusinë, për shkak të agresionit të saj në Ukrainë. /VOA