Anton Berisha, ish-zëvendësministër i Jashtëm, ka thënë se, kryeministri Albin Kurti, ka vazhduar jotolerancën me komunitetin serb duke e prurë situatën në raportin e tyre me shtetin e Kosovës në një nivel me të ulët se në periudhën e shpallës së pavarësisë.
Kështu ka deklaruar Berisha në Facebook, ku ka shtuar se, i pari i qeverisë, sipas tij, ka zgjuar si askush më parë në popullatë sentimentin otomano-komunist për t’i ndërsyer kundër Amerikës dhe Perëndimit në përgjithësi, shkruan lajmi.net.
Sipas ish ministrit të Jashtëm, kjo sjellje e rrezikshme e Kurtit ka për qëllim të krijojë një realitet të ri politik.
Postimi i plotë:
Albin Kurti, si askush më parë në Kosovë, ka arritur të nxjerrë më të keqen e individit dhe shoqërisë. Asnjëherë në këtë nivel brenda kombit shqiptar nuk ka pasur polarizim të këtillë, gjuhë jotolerante deri të ndytë dhe shtresime të skajshme.
Albin Kurti vazhdoi jotolerancën me komunitetin serb duke e prurë situatën dhe raportin e tyre me shtetin e Kosovës në një nivel edhe më të ulët se në periudhën e shpalljes së pavarësisë.
Albin Kurti zgjoi si askush më parë në popullatë sentimentin otomano-komunist për t’i ndërsyer kundër Amerikës dhe Perendimit në përgjithësi.
Kjo sjellje e rrezikshme e Albin Kurtit ka për qëllim krijimin e një realitetit të ri politik, fund e krye antidemokratik e antiperendimor, dhe me vetëdije duke i rrezikuar të arriturat e deritanishme dhe duke e shndërruar rastin e Kosovës në modelin palestinez, model që fund e krye dirigjohet nga Rusia.