Kryetarja e shtetit, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti duhet të jenë zëri i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë, i tha Ekonomia Online, Artan Behrami, njëri nga bashkëpunëtorët e afërt të ish-presidentit Hashim Thaçi
Por sipas tij, lërë që kjo nuk po ndodh, por dy krerët e shtetit po heshtin ndaj një padrejtësie të madhe që po u bëhet katërshes kryesore të UÇK-së.
Ai u ka bërë thirrje Osmanit e Kurtit që të lënë anash inatet personale e politike, ngase siç thotë ai nuk po gjykohen individë, por historia e Kosovës dhe lufta e UÇK-së.
“Fatkeqësisht presidentja e Kosovës dhe kryeministri i Kosovës ka amnistuar këtë padrejtësi të Gjykatës Speciale meqë tash e dy vjet ata janë të heshtur për çdo padrejtësi që ka ndodhur. Policia e Kosovës është quajtur kriminale nga kjo gjykatë dhe nuk ka pasur reagim as nga presidentja dhe as nga kryeministri. Inatet personale që mund të kenë ata duhet t’i tejkalojnë dhe të merren me një çështje meqë atje është duke u gjykuar historia e Kosovës dhe lufta e Kosovës. Presidentja dhe kryeministri e kanë për detyrë t’i mbrojnë të mbrojnë interesin nacional dhe krerët e UÇK në Hagë”.
Behrami theksoi se të gjithë krerët e UÇK gëzojnë shëndet të mirë dhe janë të motivuar të tejkalojnë edhe këtë sfidë me gjithë padrejtësitë që e kanë përcjell këtë proces që sipas tij, tash e dy vjet është zvarritur padrejtëssisht.
“Ata që kemi parë tash e dy vjet ka qenë një zvarritje e qëllimshme e procesit gjyqësor. Prokuroria dhe gjykata janë munduar që të mbajnë sa më gjatë krerët e UÇK në paraburgim. Nuk kanë lejuar lirimin e tyre me kusht diçka që nuk ka ndodhur në asnjë tribunal tjetër në Hagë dhe po mundohen që të shtyjnë sërish procesin gjyqësor dhe kjo është e papranueshme që shkel të drejtat e njeriut dhe të drejtat e krerëve të UÇK dhe ata padrejtësisht mbahen edhe me tutje atje”.
“Nuk është sfida e parë e krerëve të UÇK-së kjo gjykatë. Meqë edhe në të kaluarën kanë pasur sfida edhe më të rënda dhe të cilat janë për Kosovën dhe interesin e Kosovës. Të gjithë krerët e UÇK gëzojnë shëndet të mirë. Janë të motivuar të tejkalojnë edhe këtë sfidë me gjithë padrejtësitë që ka përcjell kjo gjykatë. Ata në fund të saj do të jenë triumfues dhe me këtë do të jetë fituese edhe Kosova”.
Sipas tij, për herë të parë po ndodh në histori që të akuzuarit mos të lejohen të mbrohen më liri, duke e quajture Specialen krejtësisht politike.
Beharmi thotë se qëllimi ishte largimi nga politika i ish-presidentit Thaçi dhe dënimi i historisë dhe të kaluarës tonë, raporton EO.
“Është një praktike ku të paraburgosurit më herët janë liruar dhe e kanë pasur këtë të drejtë. Për herë të parë po ndodh në histori që krerët e UÇK nuk lejohen të mbrohen më liri dhe kjo është e padrejtë. Procesi që nga fillimi ka qenë i padrejtë meqë Prokuroria është munduar t’i mbajë me çdo kusht në paraburgim. Pas dy vjetëve po shihet që kjo gjykatë është politike dhe politika e vetme e tyre është mbajtja në paraburgim të krerëve të UÇK dhe largimi nga politika i presidentit Thaçi dhe dënimi i historisë dhe të kaluarës tonë”, tha Behrami.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.