Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në pritjen e përvitshme me Trupin Diplomatik të akredituar në Shqipëri, përcolli mesazhe për avancimin e integrimit në BE, bashkëpunimin në rajon dhe me partnerët ndërkombëtarë.
Ndër të tjera, Begaj përforcoi qëndrimin për mbështetje të pakushtëzuar ndaj Kosovës.
Ai po ashtu konfirmoi angazhimin për kryerjen e reformave të thella, të cilat mbeten prioriteti kryesor për të ardhmen e vendit dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian, të cilin e konsideroi si projekt madhor të paqes, mirëqenies dhe zhvillimit.
“Hapja e negociatave është dëshmi jo vetëm e vlerësimit për reformat që Shqipëria ka ndërmarrë, por edhe tregues i vendosmërisë dhe përkushtimit tonë për të avancuar në këtë proces transformues drejt përkatësisë sonë evropiane. Udhëtimi ynë drejt Evropës së bashkuar nuk është vetëm ambicie politike, por lidhet pazgjidhshmërisht me vlera të shtrenjta për ne, siç janë: demokracia, të drejtat e njeriut dhe kohezioni social”.
“Shqiptarët janë të bindur se demokracia, integrimi dhe shteti i së drejtës nuk dhurohen, por janë procese thelbësore që kërkojnë bashkëpjesëmarrje, bashkëveprim dhe strategji të qarta për rezultate të prekshme”.