Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, vendosi sot një kurorë në Memorialin “Skënderbe” në qytetin e Lezhës, në përkujtim të 555-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Në një aktivitet përkujtimor organizuar nga Bashkia Lezhë, presidenti në fjalën e tij tha se “historia e kombit shqiptar është ajo e arritjeve, qëndresës, dhe e ringritjes përpos gjeopolitikës, përpos paragjykimeve, përpos dasive të kërkuara me insistim nga shtete shumë më të fuqishme. Jeta e Gjergj Kastriotit na kujton origjinalitetin e forcën e një populli autokton, pa orekse për territore që nuk i përkasin, por i palëkundshëm nga trojet e veta”.
Duke shfrytëzuar këtë datë përkujtimore Begaj theksoi se “jeta e Gjergj Kastriotit tregon suksesin e besimit tek vetvetja, pa i lakmuar askujt asgjë. Gjergj Kastrioti Skënderbeu nuk është një legjendë, është një hero, por mbi të gjitha është një e vërtetë.”
“Gjergj Kastrioti -theksoi Presidenti- është Heroi ynë Kombëtar dhe ne i jemi mirënjohës për luftën, përpjekjet, sukseset dhe shembullin. E shqiptarët dinë të jenë mirënjohës. Por, Gjergj Kastrioti ishte mbi të gjitha një shqiptar si të tjerë në mote e sot, që kanë në zemër dashurinë për këtë tokë, kanë besim në cilësitë e tyre, dhe dinë të arrijnë suksese për vete e për shumë të tjerë. Këta shqiptarë janë në Shqipëri e kudo në botë,” nënvizoi Begaj.
Në fund të fjalës së tij, kreu i shtetit bëri thirrje që “qofshim ne shqiptarët kudo të jemi, çdo ditë, e veçanërisht në ditë si kjo kur përkujtojmë heroin evropian dhe rolin tonë si popull në historinë botërore, të ndërgjegjshëm për cilësitë tona. Të dimë t’i mbrojmë këto cilësi me zgjuarsi, dije e bashkëpunim siç dhe bëri Gjergj Kastrioti.”