Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, e ka konfirmuar që në takimin e ri midis kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në rend të ditës do të jetë miratimi i Deklaratës për të pagjeturit, si dhe do të paraqitet drafti i parë i statutit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, raporton Radio Evropa e Lirë, përcjell Klan Kosova.
Stanoja nuk i komentoi kritikat e liderëve shtetërorë të Serbisë për zgjedhjet lokale në Veriun e Kosovës të cilat u mbajnë më 23 prill.
“Ne kemi diskutuar për këtë çështje gjerësisht para dy ditësh. Mund të përsëris se ne nuk i komentojmë deklaratat e palëve, por presim që ata të përqendrohen në zbatimin e obligimeve që kanë para tyre”, ka thënë Stanoja.
“Presim që të martën të kemi vazhdimin e dialogut, që është platforma e vetme për diskutim”.
“Takimi do të përqendrohet në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve. Si pikë e parë e agjendës do të jetë miratimi i Deklaratës për të pagjeturit. Pika e dytë do të jetë paraqitja e draftit të parë të statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pas këtyre dy temave do të shihet sesa mund të diskutohet edhe për çështje të tjera”.
Ky takim vjen në një kohë kur Kosova po e akuzon Serbinë për shkelje të Marrëveshjes për normalizimin e raporteve të arritura më herët gjatë këtij muaji, si puna e votimit kundër aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.