Bashkimi Evropian do të shqyrtojë kërkesën e Kosovës për t’iu bashkuar bllokut sapo Suedia të marrë presidencën e radhës në janar 2023.
Sipas Bloomberg, kërkesa e Kosovës do të shqyrtohet me kujdes, pasi çështja në fjalë është e ndjeshme, marrë parasysh pesë shtetet mos njohëse të Pavarësisë së Kosovës.
Kosova, të enjten e 15 dhjetorit, ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dorëzuar aplikimin në Republikën çeke, vendin që aktualisht kryeson Presidencën e BE-së.
Ceremonia e dorëzimit është mbajtur në ndërtesën e Qeverisë çeke, në Pragë.
Një ditë më parë, udhëheqësit e Kosovës, përfshirë kryeministrin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, e nënshkruan aplikimin në Prishtinë, duke e cilësuar këtë si “hap historik” për Kosovën.
“Ne jemi sot së bashku për të sjellë vendin tonë një hap më afër Bashkimit Evropian, duke kontribuuar po kështu që edhe BE të afrohet një hap më afër jetësimit të projektit të Evropës së tërë, të lirë e në paqe”, kishte thënë Osmani.