Nga 5 humbjet e sezonit vjeshtor, ajo me Pejën i “dogji” më së shumti.
Klubi i basketbollit Bashkimi nga Prizreni, i ka ndarë rrugët me trajnerin, Darko Raduloviq, raporton Klankosova.tv.
Këtë e ka bërë të ditur vetë klubi prizrenas, përmes faqes zyrtare në facebook.
“Me marrëveshje të dyanshme kemi ndarë rrugën e bashkëpunimit. Falënderojmë trajnerin Raduloviq për kontributin, profesionalizmin dhe përkushtimin e tij gjatë këtyre katër muajve”, shkruhet në njoftimin e “Arpagjikëve”
Bashkimi e ka falenderuar maqedonasin, duke i dëshiruar suksese, kurse për zëvendësimin e tij, thonë se do të bëhet e ditur në ditët në vijim.
Bashkimi me Raduloviqin në krye të bankinës, e nisi furishëm edicionin 2024/25 në Superligën e Kosovës në basketboll, duke shënuar shtatë fitore radhazi, megjithatë në shtatë ndeshjet tjera, humbën pesë prej tyre, çka e shtyu klubin nga Prizreni t’i ndajë rrugët me timonjerin e skuadrës.
Darko Raduloviq ka qenë edhe në vitin 2022 trajner i Bashkimit!